Foto: LSAphoto.comNga Xhensila Demollaj & Malvina Tare
E shtunë pasdite, dhe qyteti i Tiranës duket i qetë, por ka një ngarkesë të padukshme që rri në ajër. Po kaloj pranë shkollës “Fan Noli”, një nga ato ndërtesat unike të qytetit që kanë jetuar shumë histori. Koha është e ftohtë, me një mjegull që mbulon gjithçka dhe lë të kuptohet se dimri po afron. Ajri është i lagësht, po me nje ndjesi sikur gjithçka është më e rëndë se zakonisht. Pranë kangjellave të shkollës “Fan Noli”, janë të varura disa lule të thara, dhe një numër i vogël qirinjsh janë përrreth. Qirinjtë, edhe pse të fikur, shpërndajnë një ndjenjë tjetërsimi. Mesazhet ngushëlluese që janë shkruar mbi kartolina dhe lule pas humbjes së Martin Camaj, 14-vjeç, i vrarë me thikë në zemër, thjesht një fëmijë, një futbollist i ri, që humbi jetën për një debat të nisur në rrjetet sociale.
Foto: LSAphoto.comDjaloshi, i njohur për miqtë dhe shokët si një djalë i qetë dhe i përkushtuar, u vra me thikë pas një sherri që nisi si një koment në telefon, një fjalë e keqe që degjeneroi në dhunë. Përballja e tij me disa shokë të shkollës përfundoi tragjikisht. Familja dhe miqtë e tij kanë mbetur të tronditur, ndërsa qyteti mban ende mbresa të dhimbshme. Qirinjtë dhe lule që janë vendosur pranë shkollës janë më shumë se një homazh për jetën e humbur. Janë një reflektim mbi atë se si një debat virtual mund të shpërthejë në një dhunë tragjike që merr jetën e një fëmije, një pasojë që askush nuk mund ta kishte parashikuar. Në qytetin e Tiranës u organizuan marshime dhe protesta për të kërkuar ndërgjegjësim, pasi sot në epokën digjitale, rrjetet sociale kanë pushtuar çdo cep të jetës sonë, duke i dhënë formë marrëdhënieve, mendimeve dhe, gjithnjë e më shpesh, fatit tonë. Por pasojat e kësaj epoke të “lidhjeve pa kufij” po dëshmohen më dramatike se ç’mund ta kishim imagjinuar. Shqipëria ka përjetuar një sërë ngjarjesh tragjike ku rrjetet sociale janë shndërruar në arena konfliktesh që kanë përfunduar me viktima. Historia e fundit e një 19-vjeçari të vrarë në Fier për shkak të një “like” dhe disa fjalëve të nxitura nga zemërimi në rrjete sociale është vetëm maja e ajsbergut.
Sherre që nisin në internet dhe përfundojnë me vrasjeNë qytetin e Fierit, një 19-vjeçar humbi jetën në një konflikt të ashpër që nisi në rrjetet sociale. Një koment i papeshuar, një “like” ose një reagim në postime u shndërrua në një sherr të dhunshëm, që përfundoi me goditje thike dhe humbjen e një jete. I riu ishte djalë i vetëm i familjes së tij, një ngjarje që shokoi opinionin publik dhe theu zemrat e shumë prindërve që panë në këtë tragjedi një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së fëmijëve të tyre.
Ngjarje të ngjashme kanë tronditur edhe qytete të tjera shqiptare. Në Elbasan, një konflikt i nisur për arsye banale në rrjetet sociale degjeneroi në ekzekutimin e një të riu, ndërsa në Shkodër një sherr i nisur pas komenteve fyese solli plagosjen me armë të një 29-vjeçari. Raste të tilla dëshmojnë se kufiri mes virtuales dhe reales është tashmë i zhdukur.
Foto: LSAphoto.comStatistikat shqetësuese dhe realiteti i hidhur
Rrjetet sociale kanë krijuar një mjedis ku konflikti mund të shpërthejë me një buton të vetëm. Sipas të dhënave të fundit nga autoritetet, në Tiranë, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 233 raste konfliktesh të lidhura me rrjetet sociale. Ky është një tregues alarmant i mënyrës sesi realiteti virtual është bërë katalizator i dhunës fizike.
Në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria renditet ndër vendet me përdorim problematik të rrjeteve sociale nga adoleshentët. Gjysma e 15-vjeçarëve shqiptarë raportojnë se kalojnë pjesën më të madhe të ditës online, ndërsa shumë prej tyre përjetojnë ngacmime, konflikte apo presion social që përkeqësojnë shëndetin mendor dhe ndikojnë në marrëdhëniet e tyre sociale dhe familjare. Konkluzioni i referohet studimit anketues me fëmijë të moshës 11, 13 dhe 15 vjeç nga 44 vende të ndryshme. Jo vetëm kaq, por adoleshentët shqiptarë renditen të parët në kontaktimin e miqve të ngushtë dhe më gjerë online.
Psikologët sjellin raste të fëmijëve që delirojnë të imitojnë dhe të bëhen si figurat më të errëta të historisë, ndërsa shifrat dëshmojnë për 5 fishim të incidenteve online përmes gjuhës së urrejtjes dhe mizogjinisë dhe 7-fishim të faqeve online me këtë përmbajtje, ku vajzat janë viktima në 60% të rasteve të raportuara, sipas CRCA.
Ekrani si një pasqyrë e deformuar
Në një epokë ku identiteti i njeriut përcaktohet gjithnjë e më shumë nga profilet e tij në internet, presioni për të ruajtur imazhin perfekt ose për t’u mbrojtur nga ngacmimet virtuale ka shkaktuar një tension të madh psikologjik, veçanërisht te të rinjtë. Mund të biem dakort ose jo, por jetojmë në një botë ku TikTok, Instagram dhe rrjetet sociale janë bërë pasqyrat e jetës, shumë të rinj i krahasojnë jetët e tyre me ato që shohin online. Influencer-at, me imazhe të kuruara dhe mesazhe që shpesh përçojnë një jetë të përsosur, kanë kthyer rrjetet sociale në një arenë ku të rinjtë kërkojnë të gjejnë vetveten, shpesh duke imituar çdo detaj të jetës së personazheve që ndjekin. Një postim i thjeshtë, një foto perfekte, ose një video e shpërndarë mund të frymëzojë miliona të rinj që synojnë të pasqyrojnë atë imazh në jetën e tyre. Por ky proces imitimi është më i thellë se sa duket. Mjafton të shohësh një djalë ose vajzë që shpërndan një moment të “jetës ideale”, duke ndarë suksesin, veshjen, apo ndonjë veprim të guximshëm, dhe menjëherë krijohet një presion i padukshëm mbi ata që i ndjekin. Nis identifikimi me këto figura, duke harruar që shumë herë ato janë imazhe të manipuluara, të përzgjedhura për të marrë sa më shumë vëmendje. Përmes këtij procesi, shumë të rinj nuk e kuptojnë se ata nuk po ndjekin një person real, por një version të shkëlqyer të një realiteti që jo gjithmonë ekziston.
Foto: LSAphoto.comDëshira për të pasur një jetë të ngjashme me atë të influencer-ave, shpesh i shtyn ata të marrin vendime të nxituara dhe të rrezikshme. Ata bëhen të përfshirë në sfida, debate ose konflikte që në botën reale mund të kenë pasoja të rënda. Shpesh, kjo sjellje nuk është thjesht një shprehje e një dëshire për t’u bërë popullor, por një përpjekje për t’u përshtatur me një model që ata e shohin si një ideal të arritshëm.
Rrjetet sociale kanë fuqinë të formësojnë identitetet, por kur ndikimi i tyre kthehet në një kërkim të pafund pas imitimit të realiteteve të tjera, ata që shikojnë ndonjëherë ndodhen të humbur në një labirint. Ky proces mund të çojë jo vetëm në humbjen e vetëdijes për identitetin personal, por edhe në ndjekjen e modeleve që, në fakt, i largojnë ata nga ajo që janë vërtetë, duke i shtyrë të përfshihen në veprime që mund të kenë pasoja të paimagjinueshme.
Perspektiva psikologjike dhe sociale e ngjarjeve
Sipas psikologes Enertila Bekteshi për Dora Magazine, konfliktet që nisin në rrjetet sociale dhe përfundojnë në dhunë fizike lidhen kryesisht me mënyrën se si këto platforma përciellin emocionet dhe tensionet. “Anonimiteti që ofron një ekran u jep individëve një ndjenjë distance dhe mungesë përgjegjësie direkte, duke i bërë ata më të prirur për sjellje agresive. Një faktor tjetër i rëndësishëm është mungesa e kontekstit, toneve dhe gjuhës trupore në komunikimin online, gjë që shpesh çon në keqkuptime dhe interpretime të gabuara të qëllimeve apo fjalëve të tjetrit. Si rezultat, konfliktet mund të përshkallëzohen shumë më shpejt. Për më tepër, prania e një audience virtuale rrit presionin për t’u “mbrojtur” ose për të fituar debatin, duke nxitur reagime impulsive dhe emocionale. Kur këto ndjenja arrijnë kulmin dhe nuk mund të shfryhen më virtualisht, shpesh ndodh që tensionet transferohen në botën reale, ku marrin forma më të rrezikshme, si dhuna fizike” shpjegon psikologe Bekteshi. Enertila shton se “Mënyra si funksionon truri ynë bën që konfliktet virtuale të ndihen më intensivisht se ato ballë për ballë. Truri është i ndjeshëm ndaj kërcënimeve sociale, të cilat lidhen me ndjenjën e sigurisë dhe vlerësimit personal. Në komunikimin online mungojnë tone, gjuhë trupore dhe kontekst, gjë që e vështirëson interpretimin e qëllimeve dhe shpesh bën që fyerjet të perceptohen si më personale dhe kërcënuese.
Në një botë të mbushur me teknologji, adoleshentët janë ndër përdoruesit më aktivë të rrjeteve sociale, shpesh duke kaluar orë të tëra online. Sipas sociologes Marsida Shimo nga të dhënat e marra prej platformës iSIGURT.al, 22% e adoleshentëve vizitojnë faqet e tyre të preferuara më shumë se 10 herë në ditë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre e bëjnë këtë më shumë se një herë në ditë. “Adoleshentët mesatarisht qëndrojnë nga 3-6 orë në ditë në telefon. Ka dhe nga ata që kalojnë 7-9 orë, kryesisht duke konsumuar përmbajtje në YouTube, TikTok, Snapchat dhe grupe WhatsApp-i. TikToku është kthyer në epiqendrën e argëtimit për adoleshentët për shkak të përmbajtjes spontane dhe videove të shkurtra, të cilat janë të lehta për t’u konsumuar dhe kopjuar. Megjithatë, kjo mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor dhe mënyrën si ata kalojnë kohën e lirë. TikToku largon adoleshentët nga aktivitete si leximi, sportet apo ndërveprimet ballë për ballë, duke ndikuar te aftësitë e fokusimit dhe koha e lirë.”
Gjithashtu, Shimo paralajmëron se kalimi i më shumë se 9 orëve në rrjete sociale rrit simptomat e depresionit tek të rinjtë, duke e lidhur këtë fenomen me varfërinë në aktivitetet cilësore dhe kohën e kaluar jashtë ekranit.
Ku po gabojmë dhe si mund të ndalojmë tragjeditë?
Ndërsa teknologjia avancon, është e qartë se shoqëria jonë nuk ka qenë e përgatitur për t’u përballur me ndikimin emocional dhe psikologjik të rrjeteve sociale. Një hap i parë i rëndësishëm është edukimi digjital – mësimi i etikës së përdorimit të rrjeteve sociale dhe pasojave të sjelljes online. Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, po paguan një çmim të lartë për revolucionin e informacionit që sollën rrjetet sociale. Por këto tragjedi mund të jenë një thirrje zgjimi për shoqërinë. Lufta ndaj dhunës që buron nga interneti fillon duke e njohur atë dhe duke punuar së bashku – si individë, familje dhe institucione. Menaxhimi i emocioneve duhet të nisë që në vogëli së bashku me komunikimin efektiv. Por asnjëherë nuk është vonë për të komunikuar me ta dhe për t’i ofruar mbështetje. Menaxhimi i inatit dhe sjelljeve refuzuese te adoleshentët kërkon durim, mirëkuptim dhe një qasje të balancuar. Është e rëndësishme që prindërit dhe kujdestarët të tregojnë empati duke dëgjuar me kujdes dhe duke njohur ndjenjat që ata përjetojnë. Vendosja e kufijve të qartë dhe të qëndrueshëm ndihmon në krijimin e strukturës, ndërsa shmangia e ndëshkimeve ekstreme dhe përdorimi i pasojave logjike mund të jetë më efektive. Dua të theksoj se stimulimi dhe dëgjimi aktiv ka rezultuar më efektiv sesa ndëshkimi. Megjithatë varet nga situata dhe problem i krijuar.
Historia e këtyre të rinjve që humbën jetën në mënyrë tragjike është një kujtesë e dhimbshme se një “like” ose një koment nuk vlen kurrë sa një jetë njeriu.
GIPHY App Key not set. Please check settings